1 200 Lekë


Përshkrimi

“Kjo është një histori grash, e rrëfyer me shumë vërtetësi; më tepër se një vëzhgim, kjo është jeta e jetuar dhe e ndier në lëkurë.” Tashmë vjen në shqip edhe vëllimi i tretë i Sagës Napoletane.

Lexo përshkrimin e plotë
Dergohet nga 3-48 ore

I ri

I disponueshem

Referenca: 32315

Shto në Listën e Dëshirave

Porosit me 1 Klik

Përshkrimi

“Histori arratie e qëndrese” është vëllimi i tretë i sagës napolitane, pas romaneve “Mikesha gjeniale” dhe “Mbiemri i ri”. Elena vazhdon të rrëfejë historinë e jetës së saj e, në mënyrë të tërthortë, edhe atë të Linës.

Ato janë tashmë gra: Lila është martuar, ka lindur një fëmijë dhe është ndarë nga bashkëshorti i saj abuzues. Elena është larguar nga lagjja e fëmijërisë, është diplomuar dhe ka botuar një roman të suksesshëm, ngjarje që i kanë hapur dyert e salloneve intelektuale e mondane.

Të dyja gratë janë përplasur me muret e burgut që do t’i kishte mbajtur të ndrydhura në një jetë varfërie, injorance dhe nënshtrimi. Më në fund, atyre po u ofrohen mundësitë e mëdha, toka e premtuar e emancipimit femëror. E megjithatë, fantazmat e së shkuarës nuk janë larguar, hendeqet nuk janë mbushur dhe ndryshimet i kanë rrënjët ende të njoma.

“Histori arratie e qëndrese” rrëfen mbi të gjitha për rrënjët dhe të kaluarën, për historinë personale që gëlon thellë brenda nesh dhe na dikton, me hir e me pahir, gjestet e vogla e deri zgjedhjet e mëdha, ato që na përkufizojnë ose na kufizojnë në diçka, në dikë, shumë herë më të vogël, të pisët e të varfër se ç'mendon se duhet të ishim, se ç'jemi të bindur se jemi. E megjithatë, arratia qëndron gjithmonë në imagjinatën kolektive si një nga zgjidhjet, ndoshta më e mira, e një sërë të këqijave të pakurueshme, si varfëria, injoranca dhe dhuna të nakatosura thellë në shoqëri. Askush nuk arrin të arratiset vërtet, por të gjithë mundohemi, qoftë edhe një herë të vetme të arratisemi nga lagjja, nga qyteti, nga vendi apo thjesht vetja jonë.

Saga napolitane është botuar në 40 vende të botës dhe deri më sot, ka shitur rreth tre milionë kopje.

RRETH AUTORES ELENA FERRANTE

Elena Ferrante është një nga romancieret më të mëdha të kohës sonë!

- The New York Times Book Review

Kjo është një histori grash, rrëfyer me shumë vërtetësi; më tepër se një vëzhgim,kjo është jeta e jetuar dhe e ndier në lëkurë. Lexuesi rrëmbehet dhe i qaset botës me kujdes, me pyetje që nuk i shqiten nga mendja për tëhuajtjen dhe përkatësinë.

- The New York Times Book Review

VLERËSIME PËR ELENA FERRANTE

- The Boston Globe

Ferrante shkruan me një nevojë të egër, intime, thuajse si për të kremtuar zemërimin. Ajo është shumë e zonja në rrëfimin e saj, një lloj tërbimi tepër i veçantë që shfaqet te gratë, të cilave shpesh nuk u lejohet t’i japin zë. Pjesën më të madhe të kohës, ne jemi të zemëruara, në pozitën ku jemi – si gra, si vajza, si nëna, si shoqe – dhe asnjë grua tjetër nuk shkruan në mënyrë kaq të zhdërvjellët dhe të mahnitshme për këtë tërbim, me kaq kurajë për këtë furi të nëndheshme.

- The San Francisco Chronicle

Mbi të gjitha, Ferrante është mjeshtre e ritmit të subjektit: ca mosmarrëveshje dhe kundërshti ziejnë nën vete për vite me radhë, dhe duket sikur një përballje e caktuar – një skenë e caktuar – mund të pritet për qindra faqe me radhë, por ama kur gjendesh përballë saj, ajo është po aq tronditëse dhe e pashmangshme.

- The Independent

Saga napolitane nuk është një ndër veprat e para të Ferrante-s. [...] Por ajo është vërtet ndryshe, i përket një rendi artistik krejt tjetër. Nganjëherë ndodh një gjë e tillë: një shkrimtar punon në mënyrë të zellshme e të qëndrueshme për ca kohë dhe pastaj, ndodh njëfarë kapërcimi drejt së jashtëzakonshmes. [...] Duhet të jemi mirënjohës. Kur kjo epope, kaq e populluar, të mbyllet, ne lexuesve do të na mbetet ajo shije që presim më me ëndje nga proza letrare: një botë e mbushur plot jetë.

- New Republic

Romanet e saj janë personale, në mënyrë intensive dhe të dhunshme, dhe për këto arsye duket sikur i joshin lexuesit duke tundur ca çelësa tringëllues, të vetmit që mund të çelin rrëfime sekrete.

- The New Yorker

Kur lexoj sagën napolitane, kuptoj që nuk dua të ndaloj kurrë. Bezdisem nga çdolloj pengese (puna, të njohurit që më përshëndesin në metro) që kërcënon të më ndajë nga librat. Mbaj zi për ndarjet (edhe një vit pritje për romanin e ardhshëm, si do t’ia bëj?). Një dëshirë e pangopur më shtyn për të vazhduar.

- The New Yorker

Ta mbushësh prozën me energjinë e patretur të jetës, ta bësh atë jo thjesht “ca fjalë mbi një letër”, por një forcë rrënjësore, është një arritje artistike madhore, më e vlefshme se çdo lloj fjalie e bukur: Ferrante e ka bërë këtë.

- The Financial Times

Librat e Ferrante-s janë kthyer në njëfarë fiksimi letrar, sidomos midis grave, të cilat ndiejnë në shkrimet e saj një përkim emocional kaq të afërt me përjetimet e tyre, sa u duket sikur i kanë shkruar vetë.

- The Financial Times

Këta libra kanë gjak, vrasjesh dhe menstruacionesh, si edhe lot dhe djersë. Burrat përdorin dhunën kundër grave, dhe gratë kundër burrave. Gratë tradhtohen e tradhtojnë, vetveten dhe të tjerët. Në gjithë shkrimet e Ferrante-s ka edhe shumë seks të egër, shpesh joromantik. Do të ishte e saktë, megjithëse ndoshta thjeshtëzuese, t'i quaja këta libra feministë. Mjafton të thuash që sjellin një hulumtim dhe një intensitet të rrallë në letërsinë bashkëkohore, apo në çfarëdolloj letërsie, të eksplorimit intim, shpesh plot me detaje të dhimbshme, të përjetimit tërësor të të qenit femër, dhe në romanet napolitane, të kompleksitetit të thellë të miqësisë femërore.

- The New York Review of Books

Saga është shkruar sipas një gjuhe letrare tradicionale, por është njëkohësisht e freskët në tërësinë e saj; u jep lexuesve, jo vetëm atë që duan, por diçka më shumë, diçka që as nuk e dinin se e dëshironin kaq dëshpërimisht. Historia, e cila shpaloset në 60 vjet rrëfim, është dramatike dhe e vendosur në një botë jashtëzakonisht të gjallë. Dy vajzat jetojnë në një univers dhune, xhelozie, trekëndëshash dashurie dhe çrregullimesh politike; ato janë dy personazhe të paharrueshme sipas traditës së madhe të romanit të shekullit të XIX. E megjithatë është aftësia e Ferrante-s për të na paraqitur të vërteta përvëluese që u jep këtyre librave një fuqi të papërmbajtshme....

- The Economist

Saga napolitane është një histori klasash, përveçse gjinish; [...] Ferrante ofron një portret të gjallë e të saktë të asaj që mbetet nga ndjenjat (irracionale) të pamjaftueshmërisë, të cilat përndjekin njerëzit që ia nisin nga hiçi. Si trillim, këta libra janë njëkohësisht dhe thellësisht realistë dhe çuditërish intimë.

- The Guardian

Motoja e këtyre librave mund të ishte “Asgjë nga vetja nuk mund të harrohet”: në botën e Ferrante-s, asnjë personazh nuk i shpëton dot së kaluarës së tij.

- The Guardian

Ferrante shkruan me kaq agresivitet dhe me një të atillë intuitë psikologjike trazuese rreth kompleksitetit të rrëmujshëm të miqësisë femërore, sa kur e lexon, ke ndjesinë se bota edhe mund të zhduket pa e kuptuar.

- Entertainment Weekly

Ferrante di ta përshkruajë dialogun e brendshëm të një gruaje si askush tjetër, menjë egërsi të ndershme deri në tronditje, të papërballueshme.

- Booklist

Histori arratie e qëndrese" evokon rrjedhën jetësore të një rrahjeje zemre, të gjakut që grafullon ndër dejet tona.

La Repubblica

Saga napolitane nuk përdor marifetet, logjikën apo respektin për të ngritur çështje trazuese për mënyrën se si jetojmë, si dashurojmë, si e rrezikojmë ekzistencën në një botë plot me të meta që pret pranimin e heshtur të grave. Me gjithë bukurinë, shëmtinë, përkushtimin dhe mashtrimin e tyre, këto vajza të magjepsin, por edhe të zmbrapsin, njësoj si jeta, njësoj si ne vetë.

The Sydney Morning Herald

Personazhet femërore të Elena Ferrantes janë kryevepra të vërteta… Duket qartë që romani i saj është bir i neorealizmit italian, dhe ka një hir të parezistueshëm.

El Pais

Produktet që keni parë

Reviews (0)