Një titull shumë provokativ, ashtu siç di të provokojë Muç Nano. Bëhet fjalë për librin më të ri të tij, romanin Selam Aleiukun, baba. Në hyrje të tij, autori ka zgjedhur dy vargje të...
I ri
Një titull shumë provokativ, ashtu siç di të provokojë Muç Nano. Bëhet fjalë për librin më të ri të tij, romanin Selam Aleiukun, baba. Në hyrje të tij, autori ka zgjedhur dy vargje të Omar Khajamit, poetit pers të shek. XI-XII, përmes së cilave u bëhet apel myslimanëve që e kanë për zemër haxhillëkun në Mekë, që ta lënë haxhillëkun e të kthejnë vëmendjen nga vajzat.
Një qind Qabera, o haxhinj, nuk vlejnë sa zemra e një çupe, thuhet pak a shumë në ato vargje, që Nano i ka sjellë të përkthyera në anglisht e në shqip. Në shqip janë të përkthyera nga Fan Noli. Në kopertinën e prapme të librit është një pasazh nga romani, ku flitet për një shi kuranik. Po e japim të plotë këtë pasazh:
Ishte i njëjti shi që binte qysh prej orëve të para të ditës, i dendur, i imët, dhe ishte aq i shtruar sa Adilit për një çast iu duk se nuk mbante mend të kishte jetuar, e nuk besonte se mund të jetonte, ndonjë ditë të jetës së vet pa këtë shi. Si zor të reshtë ky shi, nuk ka pse, është kaq normal, jemi kaq rehat me të, mendoi. Një shi kuranik, ia bëri me vete pas pak, pa e vrarë mendjen shumë mbi përpikërinë e shprehjes. Në fakt, një nga gjërat që i kishte mbetur në kujtesë pas leximit të Kuranit për herë të parë ishte shiu, që Zoti e përmend si një nga dhuratat më të bukura që Ai vetë i ka bërë njerëzimit. Nuk i kishte ndodhur që në një libër tjetër të përmendej shiu aq shumë. Sikur Zoti ta kishte zgjedhur Profetin nga Këlni apo Kardifi apo Ch-ja, veç për shiun nuk do flitej, iu kujtua atij ti kishte thënë Ben Hoda.
Adili është personazhi qendror. Ch është emri artistik i qytetit ku zhvillohen ngjarjet. Është një qytet në Shqipërinë e Mesme, është shprehur vetë autori.
Nano si publicist jo pak herë është vënë në qendër të vemendjes duke krijuar situate çmitizuese, më tepër se provokime fetare. Ndoshta ngacmuar shpesh edhe nga debatet publike i ka dhënë dorë për tu sprovuar edhe në roman, duke lënë hapësirë për të tërhequr lexuesin drejt një bote që jo pak herë ka çuar në ngasje debatesh.