Ditari i Ana Frankut u bë një ndër librat më të lexuar në botë dhe u përkthye në dhjetëra gjuhë. Shtëpia ku ishte fshehur familja Frank në Amsterdam, sot është e hapur për vizitorët. Aty gjendet edhe ditari që shkroi Ana, i cili ka vlerën e një dokumenti unik njerëzor.
I ri
Më 1940 Gjermania pushtoi Holandën dhe filloi menjëherë zbatimi i ligjeve antihebraike. Babai i Ana Frankut, i frikësuar për familjen, ra në ujdi me bashkëpunëtorët e biznesit të tij për ta vazhduar punën në një vend të fshehtë, derisa të përfundonte lufta. Ata shpresonin se lufta do të përfundonte shpejt, por nuk ndodhi ashtu. Iu desh të qëndronin për më shumë se dy vjet radhazi në vendin ku fshiheshin. Disa muaj përpara se familja Frank të fillonte të fshihej, Anës i dhuruan për ditëlindje një ditar. Ajo e quajti ditarin e saj Kiti dhe shkruante në të gjithçka i ndodhte asaj dhe familjes. Askush nuk e di saktësisht se si ndodhi që pas dy vjet e gjysmë strehimi, dikush u tregoi nazistëve për vendndodhjen e familjes Frank. Nazistët shkuan në vendin ku gjendeshin Frankët, i morën dhe i dërguan në një kamp përqendrimi. Miep Gies, miku i familjes Frank, e gjeti ditarin e Anës dhe e fshehu në një vend të sigurt, pasi shpresonte që Ana të kthehej pas përfundimit të luftës. Por nga familja Frank mbijetoi vetëm babai, Otoja. Gruaja e tij u vra në Aushvic. Ana dhe motra e saj më e madhe humbën jetën në kampin e përqendrimit Bergen-Belsen, vetëm disa ditë përpara se kampi të lirohej. Oto Franku, me sugjerimin e disa miqve, lejoi që ditari i vajzës së tij të botohej, duke u bërë menjëherë i njohur.