Megjithëse shoqërohet me ilustrime nga qindra kryevepra të të gjitha kohëve, ky libër nuk përbën një histori arti. Ilustrimet, ashtu si dhe një përzgjedhje e gjerë citimesh nga Pitagora në kohët...
I ri
Megjithëse shoqërohet me ilustrime nga qindra kryevepra të të gjitha kohëve, ky libër nuk përbën një histori arti. Ilustrimet, ashtu si dhe një përzgjedhje e gjerë citimesh nga Pitagora në kohët tona, shërbejnë për të rikrijuar pikëpamjet e ndryshme mbi të Bukurënm, të cilat janë shfaqur e janë bërë objekt debatesh që nga Greqia e Lashtë e deri sot. Ky libër ndriçon mënyrat e ndryshme se si është kuptuar Bukuria e natyrës, e luleve, e kafshëve, e yjeve, e përpjestimeve matematike, e dritës, e gurëve të çmuar, e veshjeve, e Zotit dhe e Djallit.
Ndonëse na kanë mbetur vetëm veprat e filozofëve, shkrimtarëve, shkencëtarëve, mistikëve ose teologëve, si dhe dëshmitë e piktorëve, përmes këtyre dokumentave mund të rikrijohen edhe mënyrat e ndryshme se si e kuptonin Bukurinë njerëzit e thjeshtë, të varfrit, endacakët e të gjitha kohëve. Dhe mund të vihet re si jo vetëm në epoka të ndryshme, por herë - herë brenda edhe të njëjtës kulturë, kuptimet e ndryshme për të Bukurën kanë hyrë në konflikt ndërmjet tyre. Lexuesit, duke shfletuar faqet e këtij libri, do të thonë nëse përmes këtyre shfaqjeve të saj të ndryshme ideja e Bukurisë ka ruajtur disa tipare të qëndrueshme. Gjithsesi, ata do të përjetojnë çaste tërheqëse për mendjen dhe ndjenjën. Komente mbi të bukurën "Në të vërtetë, nuk ka bukuri më të mirëfilltë se urtësia që dallojmë dhe duam te ndokush, pavarësisht prej fytyrës së tij që mund të jetë e shëmtuar dhe, pa i kushtuar fare vëmendje paraqitjes së tij të jashtme, ne kërkojmë bukurinë e tij të brendshme." Plotini "Bukuria e botës përbëhet nga gjithçka që shfaqet në pjesët e saj të veçanta, sikurse janë yjet në qiell, zogjtë në ajër, peshqit në ujë, njerëzit mbi faqe të dheut." Gijomi i Konshit "Një arsye e dukshme pse shumë njerëz nuk e kanë ndjenjën e duhur të bukurisë, është mungesa e asaj delikatese të përfytyrimit që nevojitet për të arritur te ndijimi i emocioneve të tilla më të holla. Gjithkush hiqet sikur e ka një delikatesë të tillë, gjithkush flet për të dhe përpiqet t'ia përshtatë asaj çdo shije a ndjenjë." Devid Hjum "Vdekja dhe bukuria janë dy gjëra të thella, të cilat përmbajnë aq kaltërsi e aq ngjyrë të zezë, sa duken si dy motra të frikshme, që mbartin në vetvete të njëjtën fshehtësi dhe të njëjtin mister." Viktor Hygo "Bukuria është e vërteta, dhe e vërteta është bukuria, kjo është gjithçka që dimë dhe që duhet të dimë në këtë botë." Xhon Kits "Bukuria është gjithnjë e çuditshme. Nuk dua të them se është qëllimisht, me arsye të ftohtë e tillë, pasi atëherë do të ishte një dukuri e përbindshme, që del nga shinat e jetës. Por dua të them se përmban gjithnjë diçka të çuditshme, që e bën të jetë një Bukuri e veçantë." Sharl Bodler Mbi autorin Umberto Eco ka lindur në Aleksandri më 1932. Është profesor i lëndës së semiotikës dhe rektor i Shkollës së Lartë për studime humanitare pranë Universitetit të Bolonjës. Ndër veprat e tij studimore përmenden: Vepër e hapur; Struktura e munguar; Traktat i semiotikës së përgjithshme; Si shkruhet një punim diplome; Lektor in fabula; Semiotika dhe filozofia; Në kërkim të gjuhës së përkryer; Gjashtë shëtitje në pyjet e tregimtarisë; Kanti dhe ornitorinku; Për letërsinë; Të thuash gati të njëjtën gjë. Veç tyre, ndër përmbledhjet e tij vlejnë të përmenden: Ditar i vogël; Ditari i vogël numër dy; Pesë shkrime për moralin; Kuti shkrepësesh Minerva. Më 1980, ai boton romanin e tij të parë: "Emri i trëndafilit", i pasuar më 1988 nga "Lavjerrësi i Fukoit", më 1994 nga "Ishulli i një dite më parë", më 2000 nga "Baudolino" dhe më 2004 nga "Ndjenja e fshehtë e mbretëreshës Loanë".