Shumë janë mbretërit e epokave të shkuara, të cilëve edhe sot e kësaj dite, u tregohen bëmat, por pak prej tyre janë aq të njohur sa i lavdishmi mbreti Artur, mbret i mbretërisë madhështore të...
I ri
Shumë janë mbretërit e epokave të shkuara, të cilëve edhe sot e kësaj dite, u tregohen bëmat, por pak prej tyre janë aq të njohur sa i lavdishmi mbreti Artur, mbret i mbretërisë madhështore të Logresit. I thirrur nga vetë Zoti për të qenë mbret pasi shkuli shpatën e ngulur në shkëmb, mbreti i ri, në atë kohë 17 vjeçar, gjendet i mpleksur në një pafundësi aventurash. Ai do t'i bjerë kryq e tërthor mbretërisë së tij për të mbrojtur të varfrit e për të luftuar shpirtzinjtë, duke u mbuluar kështu me lavdi e duke fituar famë për zgjuarsinë e tij. Rreth tij sillen, gjithashtu mbuluar nga një famë e pavdekshme, personazhe të shumta, mes të cilëve shquhet mbretëresha e bukur dhe e ëmbël Gjinevra, trimi besnik e i pafat Lançelot, Magjistari Merlin, i mençur por i pazoti përballë kurtheve të dashurisë. E së bashku me personazhet e tjera pozitive është edhe ziliqarja dhe e pamëshirshmja, Magjistarja Morgan, motra e mbretit Artur, shkaktare e luftës vëllavrasëse që do t'i japë fund epokës së lavdishme të kalorësve të Tryezës së Rrumbullakët, kohës së "magjive e magjepsjeve". Me vdekjen e Arturit, një dorë del mistershëm nga sipërfaqja e një liqeni për të rimarrë Eskaliburin, shpatën magjike ngulur në shkëmb, për ta kthyer përsëri në vendin e vet, atje ku ndoshta ende jetojnë ata kalorës fisnikë e trima që janë zhdukur përgjithmonë nga kjo botë.