Romani është një udhëtim në kohëra, sisteme historike dhe kulturore, i një gruaje në një gjendje dyjëzimi mes jetës dhe vdekjes. Aty do të gjeni pasionin për jetën dhe zbulimin e universeve përtej shqisave të zakonshme.
I ri
“Gruaja halucinante”, roman që u përkthye dhe u botua në Austri në vitin 2009, me titullin “Milchkuss” (Puthje qumësht), nga shtëpia botuese “Otto Muller Ferlag”, tërhoqi vëmendjen e audiencës vjeneze dhe atë të Salzburgut, veçanërisht për analizën psikologjike dhe zbulimin e një bote femre, në gjendje të sfilitur shpirtërore e trupore, mes një horizonti të fortifikuar mashkullor politik në vitet e pasluftërave në Ballkan, në fund të shekullit që kaluam.
VLERESIME
Unë e dëgjova emrin e saj për herë të parë jo nga kritikët letrarë të Tiranës, por në Prishtinën e largët, në krahun tjetër të kufirit të papërshkueshëm, i cili vazhdimisht ndau më dysh një letërsi. “Diçka e re në horizontin e literaturës sonë, një femër, rioshe, gjithë talent”, - pëshpëritnin ata. Dhe, pikërisht midis shtëllungave të tymit të cigares, pas të cilave fshihen vazhdimisht poetët e Shqipërisë, më kapi syri për herë të parë Ahmetin, në nëntor të vitit 1989, ndërsa po hynte në zyrat e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve në Tiranë, për të marrë pjesë në një tryezë rrumbullake të diskutimit të poezisë bashkëkohore shqiptare. Veshur me një bluzë fanellate, pantallona të gjera dhe çorape të bardha, ajo dukej më shumë si figura e hollë e një nxënëseje mesdhetare, që po ndjek një shkollë publike angleze, sesa një poete shqiptare me reputacion. Pikëpamjet e saj u dëgjuan me shumë vëmendje dhe qenë të ngjeshura, siç mund të pritej prej personalitetesh të moçme të letrave.
Drejtpërsëdrejti e kapshme, pa teprime fjalësh, vargjet e saj, po ashtu si ritmi i saj i përsosur, ngriheshin mbi qulltësinë e produktivitetit poetik të disa autorëve bashkëkohorë meshkuj.
Robert Elsie, World Literature Today 64.1 (winter 1990)