Nëna ime ka shkelur për herë të parë në një zyrë shtetërore kur u martua. Në zyrën e gjendjes civile, për të lidhur fatin me Babanë tim edhe para ligjit. Por kjo, që do të tregoj, është tjetër...
I ri
Nëna ime ka shkelur për herë të parë në një zyrë shtetërore kur u martua. Në zyrën e gjendjes civile, për të lidhur fatin me Babanë tim edhe para ligjit. Por kjo, që do të tregoj, është tjetër gjë. Në një zyrë të vërtetë të pushtetit, atje ku ndihet si frikë deri në kockë hija e rëndë e shtetit, Nëna ime ka shkelur për herë të parë kur ishte njëzet e katër vjeçe.
Ajo kishte tashmë një fëmijë për gjiri. Një djalë. Mua, që kam marrë sot përsipër të shkruaj në njëfarë mënyre romanin e jetës së saj.
Është një histori, të cilën ajo e ka mbajtur brenda kokës së vet si një tumor (fjalët e saj) për tridhjetë vjet.
Unë po e shkruaj me dëshirën e saj, madje me urdhrin e saj, por krejt me stilin tim; liri që ajo vetë ma kishte dhënë të plotë qysh në krye të herës, e bindur se kështu përmbushej më mirë pikërisht qëllimi i saj.