"Për të gjithë, unë jam mohimi i jetës. Jam diçka e tillë si mosqenia. Njeriu nuk ekziston thjesht te veprimi. Ekziston edhe duke mos qenë? Ekziston dhe nuk ekziston. Ja tek janë ata njerëz. Me siguri kanë gra, fëmijë, shtëpi. Ndoshta janë ca mjeranë. Por, nëse dikush përpiqet t’u zaptojë shtëpinë, t’u rrëmbejë një qindarkë apo t’u prekë gruan, ata shndërrohen në bisha.
I ri
Po unë, pse nuk ngrita krye? Kush mund të më jap përgjigje? Unë vetë nuk mundem. E di që ekzistoj kështu, si mohim.
Dhe, kur ia them të gjitha këto vetes, nuk trishtohem, por shpirti më zhytet në heshtje dhe mendja në zbrazëti. Atëherë, pas asaj heshtjeje dhe zbrazëtie, prej zemrës del e më pushton kureshtja e vrasjes. Pikërisht kështu. Nuk jam i çmendur, pasi mund të mendoj, të arsyetoj. Më pushton kureshtja e vrasjes, një kureshtje që duhet të jetë trishtimi im i fundit, trishtimi i kureshtjes. Ose djalli i kureshtjes. Të shoh se kush jam nëpërmjet një krimi. Po, pikërisht kjo. Të shoh se si sillet vetëdija dhe ndjeshmëria ime në kryerjen e një krimi.
Sidoqoftë, këto fjalë nuk ma krijojnë ndjesinë e krimit, ashtu sikurse nuk ma krijon ndjesinë e katastrofës lajmi i një katastrofe në Kinë. Është sikur të mos isha unë ai që po e mendon krimin, por dikush tjetër. Dikush tjetër që do të ishte si unë, një njeri i thjeshtë, hija e një njeriu, si në filma. Ka formë, lëviz, duket se ekziston, se vuan, por gjithsesi nuk është gjë tjetër veçse një hije. I mungon jetë. Le ta thotë Zoti nëse nuk është i drejtë ky arsyetim.
Pra, çfarë do të bënte njeriu-hije? Njeriu-hije do ta perceptonte aktin, por nuk do ta ndiente peshën e aktit, sepse atij i mungon trupi për të mbajtur një peshë. Ai është hije. Edhe unë e shoh aktin, por nuk e mbaj peshën e tij. Kjo duhet të jetë një teori e re. Ç’do të thoshte një gjykatës penal, po ta dëgjonte? Do ta vinte re se sa i sinqertë jam?
Por, a besojnë te sinqeriteti ata njerëz? Jashtë meje, përtej kufijve të trupit tim, ekzistojnë të tjerët, por, për ta, jeta ime duhet të jetë aq e paimagjinueshme sa edhe ideja që të jetosh njëherazi në Tokë dhe në Hënë."