Është verë. Dy vajza franceze, Vanina dhe Zhuljeta shkojnë në jug të Sardenjës për pushime. E kalojnë kohën në plazh, not, diell dhe rërë. Një djalosh italian, i zeshkët dhe i bukur, i sheh nga larg, çdo ditë, pa u afruar. Është Vanina që do t'i flasë atij...
I ri
Fragment nga libri Në qiell, hëna kishte zbritur paksa qysh kur kishte mbaruar mbrëmja e vallëzimit, por lëshonte një dritë aq të fortë, saqë nata dukej sikur ishte zgjeruar në mënyrë fantastike dhe Vanina, në atë vetmi të ndriçuar, u ndje e vogël fare siç ndihet njeriu përballë një shkretëtire, tamam sikur caqet e botës të kishin shkuar gjer në pafundësi. Mali lëkundej para syve të saj po aq i paqëndrueshëm sa një shtëllungë avulli, pishat, që dukeshin si të vizatuara, e derdhnin ngjyrën e tyre të errët nëpër ara e vreshta duke u ngatërruar kështu me to, dunat shkriheshin me kallamishtet, kurse deti ishte i tendosur si një lëkurë plot shkëlqim e shtrirë rrafsh mbi një daulle me përmasa ndërplanetare. Ç'zhurmë do të bëhej, po t'i binte një dorë po aq gjigante! Një vazhdë squfuri e gërvishtte zbehtas këtë lëkurë: ishte refleksi i hënës në ujin e qetë. S'frynte pikë ere: "Asgjë nuk është aq e papërshkrueshme,- mendoi vajza,- sa një natë e bukur." Mbi autorin André Pieyre de Mandiargues (1909 1991) filloi të shkruante në moshë fare të re, për t'u bërë më pas një nga shkrimtarët francezë surrealistë më të pëlqyer e më të vlerësuar në Francë e kudo. Në vitin 1967 vlerësohet me Prix Goncourt për romanin "Ana", i cili më 1976 u ekranizua në një film me të njëjtin titull. Dy vjet më vonë pason një tjetër çmim, këtë herë Grand Prix në poezi, dhënë nga Akademia Franceze. André Pieyre de Mandiargues është autor i shumë vëllimeve poetike, tregimeve, dramave, pjesëve teatrore, eseve dhe romaneve.