Kryevepër e sigurt e letërsisë braziliane, Don Kazmurro (ose Zotëria i zymtë) i shkrimtarit Machado de Assis, u botua së pari në Rio de Zhaneiro më 1899. Asokohe autori kishte shkruar disa vepra...
I ri
Kryevepër e sigurt e letërsisë braziliane, Don Kazmurro (ose Zotëria i zymtë) i shkrimtarit Machado de Assis, u botua së pari në Rio de Zhaneiro më 1899. Asokohe autori kishte shkruar disa vepra të rëndësishme, si: Kujtimet e Bras Kubasit nga bota tjetër ose Quincas Borba, por me këtë roman gjeti diçka që se kishte arritur ende: ekuilibrin e brishtë mes rrëfimit dhe refleksionit; shijen e një letërsie të konceptuar si një vështrim të fuqishëm mbi dhimbjen.
Me një ton mirëbesimi, veshur me ironi dhe melankoli të hollë, personazhi kryesor, Bento Santiago, i tregon lexuesit aventurën e jetës së vet, qysh nga adoleshenca, nga dashuria dhe xhelozia për Kapitunë, nga tradhtia e hamendësuar e saj me mikun e tij më të mirë, mbylljen e ngadaltë dhe të vazhdueshme nga bota, mbushur me fantazma dhe kujtime. Një jetë dramatike, e cila, gjithsesi, nuk e çon asnjëherë në pesimizëm të thellë. Me nota të mprehta dhe gjuhë plot aforizma, lexuesi ndjek uljengritjet e jetës së Bentinjos, një valë mendimesh që dallon zërin e pashoq të autorit të librit, perspektiva skeptike dhe banale e të cilit ushqehet nga humori cinik, thuajse anglosakson, që mbizotëron në vështrimin e zymtë të Bentos. Falë mënyrës së veçantë me të cilën është shkruar, Don Kazmurro mbetet ende sot një vepër moderne dhe gur themeli për letërsinë braziliane.